Dëshmia e dytë në rastin Elshani, polici i forenzikës flet para gjykatës
Gjykimi ndaj Granit Elshanit po vazhdon ende. Indeksonline po i ndjek nga afër dëshmitë në gjyqin që po mbahet në Pejë. Dëshmia e dytë vjen nga një polic i forenzikës.
Dëshmitari u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit, ndërsa ka kujtuar kohën kur kishte dalë në vendin e ngjarjes pas vrasjes që kishte ndodhur në vitin 2010, në natën e dytë të Vitit të Ri.
“I kam bërë skicimet e tri vendeve të ngjarjes dhe i qëndroj asaj që kam punuar. Në vitin 2010 kam punuar në polici, Njësia e krimeve rajonale, sektori i forenzikës. Kam qenë në vendngjarje, raportin e ka përpiluar Valbona Krelani dhe unë. Kam bërë tri skica në dy vende të ngjarjes ku përfshihen vetëm ambientet e jashtme. Dëshmitë e gjetura pasi janë identifikuar e regjistruar, më pas janë dërguar në dhomën e dëshmive”, ka thënë dëshmitari.
Mbrojtja e ka pyetur dëshmitarin se a ke përpiluar raport të shikimit të vendit të ngjarjes më 25 janar.
Polici ka thënë se nuk e ka përpiluar këtë raport. Avokatja mbrojtëse më pas e ka prezantuar raportin, por polici e ka mohuar se e kishte bërë këtë raport, duke thënë se nuk është i nënshkruar nga ai.
“Ne kur kemi bërë shikimin e vendit të ngjarjes, kemi bërë fotografime dhe matje. Nuk më kujtohet se a e kam fotografuar unë, apo kolegët e mi, ngase kanë kaluar vite”, ka thënë dëshmitari./Indeksonline/