Dëshmitari thotë se nofka e të akuzuarit për krime lufte ishte Gagi, pak kush ia dinte emrin

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmitari Elez Hajdari në rastin ku po akuzohet Gavrilo Milosavleviq për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Gagi ka qenë nofka e të akuzuarit atëherë, pak kush ja ka dit emrin. Në Istog ka jetu, e di edhe shtëpinë ku e ka pas”, ka deklaruar dëshmitari Hajdari, raporton “Betimi për Drejtësi”
Tutje, ai ka deklaruar se ka punuar në cilësinë e udhëheqësit të shërbimit ekonomik instruktiv në burgun e Dubravës, deri në dy muajt e fundit të vitit 1998.
Dëshmitari ka thënë se të akuzuarin Milosavleviq e ka njohur sepse kanë punuar bashkë dhe se është nga Istogu.
Po ashtu, dëshmitari tha se është e vërtetë që e kanë thirrur edhe pas largimit nga puna, por për rregullimin e disa ngrohtoreve në motelin që ka qenë në kuadër të burgut, ku ka qenë të vendosur ushtria.
Ai tha se kur ka shkuar në motel kanë qenë vetëm dy ushtarë dhe i akuzuari Milosavleviq i cili ka qenë duke biseduar me njërin nga ushtarët.
“Ka qenë duke biseduar me një ushtar, që e ka pasur të shkruar në uniformë Gata, e pyta çka është, ai më tha Grupa e forcave anti – terroriste, më kujtohet mirë, Gagi më tha çka po të hyn në punë ty kjo në një mënyrë fyese mu drejtu dhe ju kom përgjigj nuk po të pyes ty po ushtarin”, ka deklaruar dëshmitari Hajdari.
Ndërsa, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili, dëshmitari tha se i akuzuari ka qenë një tip i mbylltë i tërhequr.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civil shqiptarë.
Gjithnjë sipas aktakuzës në bashkëkryerje me njësit policore serbe Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizorë dhe çnjerëzorë të burgosurit civil shqiptare.
Në aktakuzë përmend se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se roje kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ja kishin ndalur frymëmarrje.
Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”. e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.