Dëshmitari thotë se s’kishte mundur t’i identifikonte të përfshirët në vrasjen në Gllamnik të Podujevës: Ndodhi 10 metra larg dyqanit

Pronari i dyqanit “Melis”, Xhevahir Bahtiri, në cilësinë e dëshmitarit, deklaroi se vrasja e A. ZH., vitin e kaluar në Gllamnik të Podujevës, kishte ndodhur rreth dhjetë metra larg marketit të tij. Tha se nuk kishte mundur të identifikonte personat e përfshirë.
Në këtë rast Orges Zhugolli, ngarkohet se kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.ZH., për shkak të një konflikti që kishin pasur në komunikacion, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Përafërsisht dhjetë metra larg … Ka zgjatur njëzet deri tridhjetë sekonda maksimumi dhe ka ndodhur shumë shpejt dhe janë shpërnda”, deklaroi Bahtiri të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Duke përshkruar ngjarjen e asaj nate, dëshmitari tha se një veturë e tipit Golf 5 apo 6 ishte pozicionuar në krahun e majtë të rrugës, duke ngadalësuar dhe e ndaluar në mes të rrugës “Ulpiana 41”, veturën e tipit Golf 2.
Bahtiri thotë se nuk kishte mundur të identifikonte personat që kishin dalë nga vetura, për shkak se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 20:50 dhe ishte errësirë.
Sipas tij, pasi veturat ishin larguar nga vendi i ngjarjes, ai ishte afruar dhe kishte vërejtur gjak në tokë. Tha se e kishte njoftuar menjëherë policinë për ngjarjen.
“Po, e kom vërejtë gjakun, … e kam thirrë policinë”, deklaroi dëshmitari Bahtiri.
Gjithashtu, dëshmitari theksoi se nuk e kishte njohur të akuzuarin Orges Zhugolli para rastit dhe se nuk e kishte asnjë informacion për të as pas ngjarjes.
Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohej edhe ekspertja mjeko-ligjore, Bergita Curri. Megjithatë, sipas kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Ertan Sejfulla, ekspertja ka njoftuar gjykatën se ishte pezulluar nga pjesëmarrja si eksperte mjeko-ligjore në seancat gjyqësore deri në një vendim të ri të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 12 shtator 2023 afër marketit “Melis”, që gjendet në fshatin Gllamnik të Podujevës, i pandehuri Orges Zhugolli kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.ZH., për shkak të një konflikti që kanë pasur në komunikacion.