“Dështim”/ Sanchez kritikon qasjen e Evropës ndaj luftës në Gaza

Standardet e dyfishta të Evropës dhe Perëndimit mbi luftërat në Ukrainë dhe Gaza kërcënojnë të minojnë pozicionin e saj global, ka paralajmëruar kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, duke e përshkruar përgjigjen ndaj sulmit të Izraelit në territorin palestinez si një nga episodet më të errëta të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin e 21-të.
“Është një dështim. Absolutisht. Është gjithashtu realitet se, brenda Bashkimit Evropian, ka vende që janë të ndara kur bëhet fjalë për mënyrën e ndikimit te Izraeli. Por sipas mendimit tim, kjo nuk është e pranueshme dhe ne nuk mund të zgjasim më gjatë nëse duam të rrisim besueshmërinë tonë kur bëhet fjalë për kriza të tjera, si ajo me të cilën përballemi në Ukrainë”, ka thënë ai në një intervistë për The Guardian, para bisedimeve me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
“Rrënjët e këtyre luftërave janë krejtësisht të ndryshme, por, në fund të fundit, bota po shikon nga BE-ja dhe gjithashtu nga shoqëria perëndimore dhe pyet: ‘Pse po përdorni standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për Ukrainën dhe kur bëhet fjalë për Gazën?”, ka shtuar Sanchez.
Ai gjithashtu ka fajësuar partitë tradicionale të krahut të djathtë për thyerjen e konsensusit mbi përgjigjen ndaj emergjencës klimatike duke kopjuar politikat e rivalëve të tyre populistë.
Sanchez – udhëheqësi i parë i lartë evropian që akuzoi Izraelin për gjenocid në Gaza, ka thënë se ishte i kënaqur që kombet e tjera evropiane po ndiqnin shembullin e Spanjës në njohjen e një shteti palestinez, por ka shtuar se përgjigjja e Evropës ka qenë e dobët.Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë se SHBA-ja nën Donald Trumpi po përpiqet t’i japë fund rendit global të bazuar në rregulla pas Luftës së Dytë Botërore, që e kishe krijuar fillimisht vetë.
“Realiteti më tronditës me të cilin po përballemi është se arkitekti kryesor i rendit ndërkombëtar – që është SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore, tani po e dobëson këtë rend ndërkombëtar, dhe kjo është diçka që nuk do të jetë pozitive për shoqërinë amerikane ose për pjesën tjetër të botës, veçanërisht vendet perëndimore”, është shprehur ai në një intervistë për The Guardian.
Udhëheqësi socialist i cili është përplasur me Donald Trumpin për shkak të refuzimit të Spanjës për të përmbushur kërkesat e presidentit amerikan për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtje, ka thënë se Spanja është një “partner i besueshëm” në NATO.
“Me gjithë respektin e duhur, ne kemi një qasje pragmatike në marrëdhënien tonë me SHBA-në”, ka shtuar ai.
“Në të njëjtën kohë, mendoj se kemi një vizion të ndryshëm se si të përballemi me sfidat me të cilat po përballet bota dhe shoqëritë tona. Dhe mendoj se është një gabim i madh të largohemi nga marrëveshja e Parisit dhe të zvogëlojmë kontributet në programet e ndihmës dhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Por në fund të ditës, shoqëritë tona po përballen me sfida globale që nuk i kuptojnë kufijtë dhe ne duhet të forcojmë bashkëpunimin dhe bashkëveprimin tonë”, është shprehur ai.
Ai ka thënë megjithatë se është i përkushtuar për të ruajtur “marrëdhënien më të mirë me SHBA-në”, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë dhe pavarësisht “veprimeve izoluese” të Trumpit.
Sanchez ka thënë gjithashtu se tërheqja e SHBA-së nga institucionet globale mund t’u lejojë të tjerëve të luajnë një rol më të madh ndërkombëtar.