06:09 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

Dështimi diplomatik; për një vit, vetëm një njohje

Për dhjetë muaj të këtij viti diplomacia kosovare ka arritur ta sigurojë vetëm një njohje ndërkombëtare, përkatësisht nga Bangladeshi. Gjatë vitit të kaluar dy shtete e kishin njohur pavarësinë e vendit. Derisa zyrtarë qeveritarë japin premtime se shumë shpejt do të sjellin njohje të reja për vendin, opozita dhe analistët politikë kritikojnë diplomacinë e “përgjumur”.

Duke u bërë vendi i fundit (i 114-i) që njohu Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, Bangladeshi po vazhdon të mbetet shteti i vetëm që i ka sjellë njohje Republikës së Kosovës përgjatë vitit 2017.

Ndonëse edhe ministri i Jashtëm i Qeverisë së re, Behgjet Pacolli, sikurse paraardhësi i tij Enver Hoxhaj, po vazhdon të zotohet se do t’i sjellë njohje të reja Kosovës, opozita konsideron se kjo ngecje po vjen si rezultat i keqqeverisjes përgjatë viteve.

Përderisa përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” thonë se Ministria e Punëve të Jashtme e mandatit të kaluar kishte çaluar në aspektin e njohjeve, ata të LDK-së konsiderojnë se ky dikaster në qeverisjen e re është duke u treguar edhe më i dobët se ai i kaluari.

Nga ana tjetër, edhe njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se procesi i njohjeve nuk është duke sjellë aspak rezultate. Lidhur me këtë çështje, sipas tyre, kanë ndikuar faktorë të shumtë, duke u nisur nga politika e bërë në mënyrë jo të duhur nga ana e Kosovës, hyrja në bisedime me Serbinë e deri te propaganda e kësaj të fundit në dëm të Kosovës./zeri