75 Mall Live Search
11:27 / E Martë, 15 Korrik 2025 / S Z

Dështimi i 47-të, deputetët nuk arrijnë ta konstituojnë kuvendin

Dështimet vazhdojnë. E sot për të 47-n herë me radhë deputetët dështuan ta konstituojnë kuvendin. E vazhdon të përsëritet po i njëjti skenar, që deputetët të mblidhen çdo 48 orë, por pa asnjë rezultat.

Rreth pesë muaj  pas përfundimit të zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ende të konstituohet dhe se asnjëra nga partitë nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre.

VV-ja nuk heq dorë nga votimi i fshehtë dhe as nga kandidatja e tyre për kryetare të kuvendit Albulena Haxhiu. Ndërkaq partitë opozitare mbetën të palëkundura në kundërshtimin e votimit të fshehtë.

Sikurse dhe në seancat e kaluara, edhe këtë herë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Por deputetët e opozitës patën disa kërkesa. Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha e cila doli në foltore kërkoi nga deputetët që ta respektojnë betimin e dhënë.

“Mos e shkelni betimin e dhënë të deputetit, kthejuni në rendin e ditës”, tha ajo. Por fjala iu ndërpre nga kryesuesi.

E deputetja e AAK-së Time Kadriaj mbeti te propozimi i njëjtë. Ajo edhe këtë herë e propozoi për anëtar të komisionin Albin Kurtin, të cilin e  quajti dhe nomad.

“Ne si AAK e propozojmë nomadin Albin Kurti”, tha ajo.

Ndryshe 51 nga deputetët e pranishëm në sallë votuan pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar të enjten  në orën 11:00. /Indeksonline/