DËSHTIMI i Vetëvendosjes në Prizren
Anëtarët e opozitës nga PDK-ja dhe AAK-ja në Kuvendin Komunal të Prizrenit braktisën seancën e sotme të Kuvendit Komunal, ende pa e miratuar rendin e ditës.
Mbledhjen e lëshuan edhe këshilltarët e NDS-së boshnjake, ndërsa fare nuk erdhën dhe katër këshilltarët e Nismës, në opozitë.
Ata kundërshtuan rendin e ditës, sidomos pikat për shqyrtimin dhe miratimin e propozimbuxhetit për vitin 2020 dhe parashikimin e buxhetit për vitin 2021-2022, si edhe atë, ku planifikohej votimi për hyrje në koncesion të pronës komunale.
Për këtë mbledhja është ndërprerë, në mungesë kuorumi.
Kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi, propozoi një pauzë prej 15- minutash, por edhe pse kaloi mbi një orë ajo nuk filloi, shkruan Gazeta Prizrenit.
Pas kësaj ai njoftoi se seanca do të shtyhet për afat të pacaktuar.
Siç edhe ka shkruar më parë Gazetae Prizrenit.net kjo ishte seanca më sfiduese për kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka, pasi për herë të parë pas luftës, shumicën e vendeve tashti i mban opozita.
Në këtë rast pozita aktuale prirë nga Vetëvendosje mbeti pakicë dhe nuk arriti ta siguronte numrin prej 21- kuvendarësh, apo minimumin e domosdoshëm për mbajtjen e mbledhjes.
Nëse gjërat rrjedhin kësisoj, atëherë opozita i ka numrat edhe për shkarkimin e kryesuesit Abrashi nga Vëtëvendosje, që ka mbetur edhe pa partnerin qeverisës, Nismën Socialdemokrate, që braktisi koalicionin. /