Dështimi i seancës për herë të tretë, LDK: VV nuk i ka votat, po cenohet rendi kushtetues

Pas dështimit të tretë radhazi për konstituimin e Kuvendit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar përmes një deklarate për media, duke theksuar se tashmë është konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shumicën e nevojshme parlamentare për formimin e Qeverisë.
”Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës dështoi për herë të tretë radhazi të konstituohet, duke konfirmuar edhe një herë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar institucionet e reja të vendit.”, thuhej në deklaratën e LDK-së.
Tutje LDK-ja e riafirmon pozicionin e saj përmes disa pikave.
”Së pari, pranimi i dorëheqjeve verbale nga anëtarët e Qeverisë të certifikuar si deputetë nga Komisioni për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve ka hapur rrugë për konstituimin formal të Legjislaturës së IX.
Së dyti, LDK-ja ka qenë dhe mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos marrë pjesë në asnjë proces që cenon rendin kushtetues, procedurat demokratike dhe vullnetin e lirë parlamentar.
Së treti, çdo zyrtar i Qeverisë që ka bërë betimin si deputet, duhet ta dijë se çdo vendim i tij ekzekutiv nga 27 marsi bie ndesh me ligjin dhe LDK është e bindur që përbën shkelje penale prandaj dhe duhet të hetohet.
Së katërti, pavarësisht përpjekjeve të pareshtura për të ndikuar mbi vullnetin e deputetëve përmes presioneve dhe kalkulimeve të dyshimta, realiteti është i qartë: Vetëvendosje nuk i ka numrat. Dhe ky fakt nuk mund të fshihet pas akrobacive procedurale apo improvizimeve parlamentare.
Së pesti, kushdo që pretendon qeverisjen e vendit, duhet të sigurojë minimalisht 61 vota. Çdo përpjekje për të shtyrë përpara agjenda politike pa këtë shumicë përfaqëson cenim të demokracisë dhe shkelje të rregullave të lojës parlamentare.
Së fundmi, LDK-ja thekson se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional dhe legjitimitet të plotë politik. Ne nuk do të lejojmë që Republika e Kosovës të bllokohet për interesa të ngushta partiake. Rruga e vetme përpara është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjit.”
Deklarata e plotë: