75 Mall Live Search
18:09 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / BA

Dështoi të transferonte sulmuesin nigerian, Tare i hedh “sytë” nga zëvendësuesi i Gyokeres

Pas përfundimit të pistës së Victor Boniface, AC Milan ka zhvendosur vëmendjen te talenti danez Conrad Harder, i cili pritet të bëhet sulmuesi më i ri i kuqezinjve.

Sipas mediave italiane, gjithçka u bë e qartë të dielën në mëngjes gjatë takimit në Casa Milan, ku morën pjesë drejtori Giorgio Furlani, Igli Tare dhe trajneri Massimiliano Allegri. Pak para mbërritjes së trajnerit, nga selia doli edhe agjenti i Harder, duke treguar qartë se negociatat kishin hyrë në fazën përfundimtare.

Një tjetër detaj që shtoi zërat për transferimin ishte prania e agjentit të lojtarit në San Siro për ndeshjen ndaj Cremonese, ndërkohë që dyshimet për gjendjen fizike të Boniface tashmë kishin zbehur interesin e klubit.

Sot është zhvilluar edhe një takim i ri me agjentin e 19-vjeçarit për të mbyllur detajet e kontratës. Marrëveshja do të jetë pesëvjeçare, me një pagë që nis nga 1.5 milionë euro në sezon dhe që pritet të rritet vit pas viti. Sporting Lisbon do të përfitojë 24 milionë euro + 3 milionë euro bonuse, si dhe 10% të një shitjeje të ardhshme.

I lindur në vitin 2005, Harder u rrit te të rinjtë e Nordsjælland, ku shkëlqeu me 27 gola në 24 ndeshje për ekipin U-19. Ai debutoi në Superligën daneze më 4 qershor 2023 dhe shpejt u bë pjesë e ekipit të parë. Sezonin e kaluar, si pasardhës i Viktor Gyökeres (i transferuar te Arsenali), Harder regjistroi 9 gola dhe 4 asiste në 43 ndeshje.

Me këtë lëvizje, Milan synon të sigurojë një talent premtues për sulmin, duke i dhënë ekipit një element të ri në perspektivën afatgjatë.