23:01 / E Enjte, 20 Qershor 2019 / indeksADMonline

Dështon Jovici i Realit, Gjermania shpartallon Serbinë

Gjermania U-21 ka shpartalluar Serbinë U-21 me rezultatin e thellë 6-1 duke u ngjitur në krye të grupit B me 6 pikë të plota pas dy ndeshjeve.

Ishte një tjetër ndeshje spektakolare për “fëmijët” e Gjermanisë ndaj një Serbie që ka mbetur me zero pikë pas dy ndeshjeve.

Një tjetër sfidë e dobët e blerjes së re të Real Madrid, Luka Jovic. Ai ka qenë në hije të plotë deri në momentin që është zëvendësuar.

Ka qenë Richter ai që ka zhbllokuar rezultatin përpara se Waldschmidt i Freiburg të shënonte dy gola të tjerë përpara se të përfundonte pjesa e parë.

Pas pushimit, Dahoud ka shënuar golin e katërt, ndërsa Waldschmidt ka kompletuar tripletën e tij në minutën e 80’ të takimit.

Në fund, ishte Zivkovic që ka shënuar golin e nderit për serbët nga pika e bardhë e penalltisë përpara se Meier të realizonte një gol fantastik në sekondat e fundit për gjermanët.