10:30 / E Premte, 08 Korrik 2022 / k.v

Dështon mbledhja e Komisionit ku pritet të rregullohet çmimi i barnave medicionale, shkak mungesa e VV-së

Në pamundësi për të shqyrtuar Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, akuzuan partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje se qëllimshëm munguan në këtë mbledhje.

Ndonëse është inicim i opozitës, ata kanë kërkuar nga shumica që ta përkrahin këtë Projektligj i cili e rregullon çmimet e barnave.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se qëllimshëm mazhoranca mungoi duke bërë që të dështojë kjo mbledhje për shkak të mungesës së kuorumit. Tha se me votimin e këtij Projektligji, nuk do të kishte më dallime të çmimeve të barnave nëpër barnatore.

“Në muajin mars kemi propozuar nismën për projektligjin për çmimin e produkteve të barnave  dhe në vazhdimësi ky projektligj bashkë me atë tjetrin të iniciuar nga opozita në vazhdimësi janë prolonguar e nuk janë trajtuar nga pushteti. Në mbledhjen e fundit jemi dakorduar qe t’i trajtojmë këto dy projektligje. Pushteti i VV-së pamundësuan kuorumin, që të pamundësohet votimi i këtyre dy projektligjeve, atë për çmimet medicinale dhe atë për shëndetësi”, tha Haxhiu.

“Ju e dini qe aktualisht në Kosovë ka barna që çmimi në raport me vendet tjera është më i lartë, deri më 300, 400% më lartë se në vendet e rajonit. Përmes këtij projektligji çmimi i barnave do të jetë i njëjtë, e nuk do të ketë dallime prej një barnatore dhe një barnatore tjetër, ose vendeve referente”, tha ai.

Kritika për dështim të kësaj mbledhje pati edhe deputeti i LDK-së, Armen Zemaj. Ai tha se me muaj të tërë projektligjet po presin në sirtarë të Qeverisë, shkruan Ekonomiaonline.

“E patë sot papërgjegjësinë e mazhorancës është tregues i qartë që po e rëndon edhe sistemin shëndetësorë edhe jetën e pacientit. Ka tre muaj që Projektligjet janë në sirtarët e qeverisë me një qëllim të arsyeshëm edhe për avancimin. Besojmë dhe shpresojmë që kjo papërgjegjësi do të përfundoj një ditë. Ditëve të fundit jemi përballur me një kolaps shëndetësor, dhe zëri i arsyes duhet të thirr të gjithë ata qe ia duan të mirën shëndetit publik”, tha Zemaj.