Dështon të dëgjohet dëshmitari në rastin e Kostiqit e Milloviqit
Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte, Zoran Kostiq dhe Dragan Milloviq, pasi pala mbrojtëse kërkoi shtyrjen e saj. Sipas mbrojtjes, përkthimin në serbisht të deklaratës së dëshmitarit që ishte paraparë të dëgjohej sot, e kanë pranuar vetëm disa minuta para fillimit të seancës, raporton Ekonomia Online.
Avokati i palës mbrojtëse, Predrag Milkoviq, deklaroi se marrë parasysh këto rrethana, mbrojtja nuk pranon që kjo seancë të vazhdojë.
“Nuk jemi gati sepse tani e keni pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer para 10 minutash. Më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga gjykimi i kaluar, por mbrojtja nuk pranon që kjo të vazhdohet”, tha ai.
Nga ana tjetër, prokurorja e rastit, Florie Shabani, kërkoi që dëgjimi i dëshmitarit të bëhet për të mos vonuar procesin gjyqësor.
“Ne me kohë kemi dorëzuar këtë deklaratë të përkthyer, por për shkak të disa pengesave në kompjuter, për të mos e zvarritur këtë procedurë, është mirë që dëshmia e dëshmitarit të merret nga ana e prokurorisë, ndërsa në një seancë tjetër të merret nga pala tjetër”, tha ajo.
Avokati Milkoviq e kundërshtoi këtë kërkesë, duke theksuar se dëgjimi i dëshmitarit nuk është i arsyeshëm në këtë fazë të procesit.
“Konsideroj që nuk është e udhës që ta dëgjojmë këtë dëshmitar. I kam marrë të gjitha shkresat, procesverbalet, dëshmitarët që kanë dhënë deklaratat e tyre. Kjo deklaratë është dhënë ditën e ngritjes së aktakuzës, 15 ditë pas ngritjes së aktakuzës, dhe po e kundërshtojmë dëgjimin e dëshmitarit sot”, tha ai.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Lutfi Shala, nëse ekziston ndonjë mundësi që seanca të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit nga ana e prokurorisë, avokati Milkoviq u përgjigj
“Unë e kam bërë një herë për prokurorin, nuk do ta bëjë dy herë për prokurorin”, tha ai.
Pas diskutimeve, kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, mori vendimin që seanca të shtyhet.
“Vlerësojmë që sot nuk ka kushte që të vazhdohet me këtë proces gjyqësor dhe i jepet kohë që të lexohet deklarata”, tha ai.
Sot ishte paraparë të dëgjohej dëshmia e dëshmitarit Naim Haliti.
Të akuzuarit Zoran Kostiq dhe Dragan Milloviq ngarkohen se, në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare serbe, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë konfliktit në Kosovë.

