Dështon tenderi i Doganës së Kosovës për blerjen e një automjeti të blinduar
Dogana e Kosovës, më 20 nëntor të vitit të kaluar, kishte njoftuar për hapjen e tenderit për furnizim me automjete të reja të blinduara.
Por, Dogana e Kosovës ka njoftuar se ai tender është anuluar sot (10 qershor), transmeton Indeksonline.
Lënda e kontratës ishte furnizimi me një automjet të blinduar sipas karakteristikave teknike të përcaktuara në Aneksin 1 të dosjes së tenderit.
Anulimi i tenderit sipas njoftimit është bërë për shkak se të gjithë tenderët kishin çmime që të larta. Ndërsa, numri i tenderëve që ishin pranuar ishte 3.
“X një dispozitë në Ligjin e prokurimit publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit; (i) të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK-së”, thuhet në këtë vendim.
Në tenderin e hapur nga Dogana e Kosovës, vlera e parashikuar e kontratës për furnizim me automjet të blinduar ishte 150 mijë euro. E, data e vendimit mbi anulimin e procedurës ishte marrë më 29.05.2020./Indeksonline.