11:55 / E Hënë, 17 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

“Destur- Blasfemi e ëmbël”, sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Teatri Kombëtar i Kosovës do të shfaqë sot në mbrëmje, 17 dhjetor 2018, premierën e shfaqjes “Destur – Blasfemi e ëmbël” me tekst të Musa Ramadanit dhe Elif Shafak në regji të Zana Hoxha- Krasniqit.

Shfaqja “Destur – Blasfemi e ëmbël” që jepet në mbrëmje në ora 20:00 në TKK është një gërshetim dhe përpunim i teksteve të dy shkrimtarëve, “Destur”, të Musa Ramadani, dhe “Blasfemi e ëmbël” të Elif Shafak, nga regjisorja Zana Hoxha Krasniqi.

Shfaqja sjell historinë e poetit të famshëm Mevlana Rumit, ngjarje të ndodhur në shekullin e 13-të ku trajtohen interpretimet e ndryshme të fesë dhe dashurisë dhe konfliktet që ngrihen mes intelektit akademik dhe mençurisë së pastër.

Në rolin e Rumit paraqitet Çun Lajçi, kurse të Shemsiut, Shkëlzen Veseli, ndërkaq në rolet tjera interpretojnë: Armend Ismajli, Edlir Gashi, May-linda Kosumoviç, Semira Latifi, Anisa Ismajli, Basri Lushtaku, Kushtrim Qerimi, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi, Mikel Markaj, Selman Jusufi, Florent Salihu, Blend Sadiku, Leonit Maloku.

Shfaqja është dedikim për aktorin e ndjerë të Teatrit Kombëtar Istref Begollin.