17:45 / E Mërkurë, 30 Mars 2022 / AR

Detaje/ Çka përfitojnë qytetarët e Kosovës nga projekti “Solar4Kosovo”?

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se është bërë sigurimi i lokacionit për një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë “Solar4Kosovo”, i cili po fillon të jetësohet në Kosovë.

Lokacioni i këtij projekti është vendosur në Komunën e Obiliqit, raporton Indeksonline.

Aliu njofton se çka do të përfitojnë qytetarët e vendit tonë.

Njoftimi i plotë:

Është bërë sigurimi i lokacionit për një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë “Solar4Kosovo”, i cili po fillon të jetësohet në Kosovë.

Ky është projekti i parë diellor në shkallë të gjerë në sektorin publik të Kosovës, dhe i pari projekt që ka për qëllim diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike.

Sot, bashkë me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Joern Rohde, drejtorin e Bankës Gjermane për Zhvillim, z. René Eschemann, dhe kryetarin e komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi, vizituam lokacionin e këtij projekti në komunën e Obiliqit.

Nga ky bashkëpunim i ndërsjellë do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e vendit tonë, me ç’rast:

🔹Do të ju sigurohet kyçje në rrjetin e ngrohjes qendrore për 12.000 familje apo rreth 60.000 banorë;

🔹Do të reduktohet emitimi i dioksidit të karbonit për 40.000t në vit;

🔹Do të shtohen kapacitetet me rreth 70MW në sistemin e ngrohjes në Prishtinë;

🔹Do të reduktohet kërkesa për energji elektrike për qëllime të ngrohjes;

🔹Do të ndërtohen kolektorë diellorë prej përafërsisht 69.000 m2.