22:42 / E Premte, 11 Gusht 2023 / MSH

Detaje ekskluzive nga arrestimi i “Kaçes” në veri, kush janë bashkëpunëtorët serbë të tij

Indeksonline ka raportuar sot mbi një aksion të Njësisë Speciale në afërsi të Çeçevës, në veri të vendit, ku u arrestua Besim Zeqiri, i njohur me nofkën “Kaça”, si dhe katër serbë të tjerë, bashkëpunëtorë të tij.

“Kaça” dhe bashkëpunëtorët e tij janë arrestuar për veprat penale “Kontrabandë mallrash”, “Posedim i susbtancave narkotike” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Në momentin që oficerët policorë kanë tentuar t’i ndalojnë të dyshuarit, grupi i ka sulmuar me armë zjarri dhe më pas Policia është kundërpërgjigjur.

“Oficerët e policisë iu përgjigjën zjarrit, por për fat nuk pati viktima”, tha për Indeksonline zëdhënësi i Policisë, Veton Elshani.

Si ndodhi rasti?

Rasti ka ndodhur në fshatin Kovaçe, rreth orës 03:20.

Burime të Indeksonline pohojnë se në fshatin Kovaçe (Farkëtarët), në afërsi të Zubin Potokut, aty ku edhe policia po kryente një plan operativ, ka hasur në disa automjete të dyshimta.

Një Golf 4 karavan, një veturë Touareg dhe një veturë Dacia janë ndaluar për kontroll nën dyshimin se të njëjtat po shfrytëzoheshin për kontrabandim mallrash.

Gjatë kontrollit, në afërsi të lokacionit, një furgon i bardhë i tipit Mercedes ka sulmuar zyrtarët policorë të cilët po merreshin me rastin, duke përdorur edhe armët e zjarrit.

Një nga të dyshuarit, gjatë të shtënave me armë, është arratisur nga vetura, për të ikur në drejtim të malit duke vrapuar.

Pikërisht në furgonin Mercedes, i cili është braktisur nga të dyshuarit, janë gjetur tetë pako cigare, të cilat edhe janë konfiskuar.

Në anën tjetër, të dyshuarve të ndaluar për kontroll u janë konfiskuar dy radiolidhje si dhe telefonat që posedonin.

Kush janë të dyshuarit e arrestuar nga policia?

Përveç të dyshuarit kryesor për kontrabandim, e që është Besim Zeqiri, policia ka arrestuar edhe katër serbë të tjerë.

Indeksonline raporton se bëhet fjalë për Aleksander Mihajlovic, Jovan Gjukic, Zhelko Kosanin dhe Markon Milkovic./Indeksonline/