Detaje interesante nga sulmi në Norvegji, viktimat nuk u vranë me hark dhe shigjetë

Pesë persona që vdiqën në një sulm në Norvegji javën e kaluar u vranë në të vërtetë nga një “objekt i mprehtë” dhe jo nga një shigjetë dhe hark, siç u raportua fillimisht.
I dyshuari, Espen Andersen Brathen, qëlloi tek njerëzit me shigjeta në Kongsberg, afër kryeqytetit, Oslo, raporton BBC, transmeton Indeksonline.
Por oficerët hetues thanë se në një moment ai ose hodhi poshtë ose humbi harkun e tij.
Ky ishte sulmi më i rëndë në Norvegji që nga koha kur ekstremisti i së djathtës, Anders Breivik, masakroi 77 njerëz një dekadë më parë.

Pesë persona u vranë me një objekt të mprehtë si në shtëpitë e tyre ashtu edhe në hapësirat publike, tha policia të hënën, pa dhënë detaje të tjera.
Në një deklaratë, policia tha se informacioni mbi llojin e armës së përdorur nuk mund të jepet pasi ende nuk janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët.
Ata gjithashtu thanë se viktimat u përzgjodhën rastësisht dhe se një numër njerëzish u qëlluan me shigjeta në fillim të sulmit, por asnjë nuk u vra nga ajo.
I dyshuari, një mysliman danez i konvertuar, tani është në paraburgim në një institucion mjekësor në pritje të një vlerësimi psikiatrik, por kjo mund të zgjasë disa muaj./Indeksonline/