Detaje nga aktakuza kundër 21 personave për Masakrën e Reçakut
RTK sjell detaje të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale kundër 21 personave për Masakrën e Reçakut të vitit 1999, ku forcat serbe vranë, torturuan dhe trajtuan në mënyrë çnjerëzore civilë të pambrojtur shqiptarë, shkatërruan pasuri dhe dëbuan rreth 20 mijë banorë nga fshatrat përreth.
Në kërkim të drejtësisë dhe evidentimit të kriminelëve për krimet e luftës, të kryera nga Serbia në Kosovë, pritet që çështja të marrë epilog, duke përfshirë edhe krimin e kryer në Reçak.
27 vjet pas ngjarjes, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për Masakrën e Reçakut të vitit 1999, ku u vranë dhe u masakruan civilë të pambrojtur shqiptarë, dhe pritet të arrihet një epilog drejtësie.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 21 personave. Bazuar në hetimet e kryera nga Prokuroria Speciale, vërtetohet se të pandehurit, me dashje, në bashkëkryerje, individualisht dhe në kuadër të përgjegjësisë komanduese, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, kanë kryer vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim të popullatës civile.
Në aktakuzën e siguruar nga RTK, hetimet e prokurorisë zbardhin detajet e këtyre krimeve të kryera gjatë viteve 1998-1999.
“Rreth orës 06:00 të mëngjesit të 15 janarit 1999, fshati Reçak u rrethua dhe fillimisht u granatua nga distanca. Në shtëpinë e Sadik Osmanit, burrat u ndanë nga gratë, u torturuan dhe 24 prej tyre u ekzekutuan pranë “Kodrës së Bebushit”.
Nga ky operacion u vranë mizorisht 42 civilë shqiptarë të të dy gjinive dhe moshave të ndryshme.
Në aktakuzën e Prokurorisë vërtetohet gjithashtu se më 15 janar 1999, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe morën pjesë në trajtimin çnjerëzor të rreth 30 civilëve të fshatit Reçak. Burrat u rrahën me kondakë armësh, dru, zinxhirë dhe gjësende të tjera, pastaj u vendosën në kolonë dhe u detyruan të shkonin në drejtim të zonës malore “Kodra e Bebushit”, ku disa u ekzekutuan sipas mënyrës të përshkruar në pikën 1 të aktakuzës.
Aktakuza përmban edhe dëbimin e popullsisë civile. Në kohën, datën dhe vendin e përshkruar në pikën 1 të aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe, ku bënin pjesë edhe të pandehurit, morën pjesë dhe kontribuuan në dëbimin e popullsisë civile të fshatit Reçak.
Nga distanca u granatua me të gjitha mjetet ushtarake, më pas me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi për shtëpi. Banorët e strehuar u nxorën nga shtëpitë e tyre, burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët; këta të fundit u detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar u vranë sipas mënyrës të përshkruar më lart.
Rreth 20.000 civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Ndaj 21 të akuzuarve, Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, pasi ata janë të paarritshëm për organet e drejtësisë të Kosovës.

