Detaje nga tentim grabitja në BKT: Ishin dëmtuar edhe një kamion dhe automjet tjetër

Sot rreth orës 5:30 të mëngjesit ka ndodhur një grabitje në tentativë në një filiale të BKT-së, në “Veternik”.
Me t’u ndezur alarmi, Policia e Kosovës, ka shkuar në vendin e ngjarjes ku kanë hasur në personat e dyshuar, të cilët kanë shtënë në drejtim të pjesëtarëve të policisë.
Me këtë rast mbeti një zyrtar policor i plagosur në këmbë dhe një veturë zyrtare e dëmtuar.

Zëdhënësi i PK-së, Agron Borovci, për IndeksOnlinen bëri të ditur se janë shkaktuar dëme materiale edhe në një kamion dhe në një automjet tjetër transportues.

IndeksOnline mëson se pjesëtarët e policisë janë sulmuar nga të dyshuarit me mbi 20 plumba.

“Informatë shtesë: 14:00
Veprimet policore të hetimit si edhe ato të gjurmimit në vendin e ngjarjes kanë nxjerr në pah dyshimet për katër të dyshuar të përfshirë në rast si edhe të armatosur me armë të gjata të cilët me breshëri kanë shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë.
Duke parë rrezikun e menjëhershëm, të drejtpërdrejtë dhe krejtësisht të pashmangshëm për jetën e tyre zyrtarët policorë kanë përdorur armën e tyre me qëllim të parandalimit të sulmit serioz nga të dyshuarit.
Si pasojë e të shtënave nga të dyshuarit përveç plagosjes së një zyrtari policor janë shkaktuar edhe dëme materiale në një veturë të policisë si dhe në një kamion dhe një automjet tjetër transportues.
Së këndejmi të dyshuarit me qëllim të hapjes së bankomatit dhe grabitjes së parave, dyshohet të kenë përdorur materie shpërthyese, por megjithëkëtë si rezultat i reagimit policor nuk kanë arritur t’i grabisin ato.
Policia bashkërisht me Prokurorin e Shtetit po i koordinojnë veprimet vijuese hetimore deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke orientuar hetimin për grabitje të armatosur në tentativë dhe vrasje e rëndë në tentativë”, tha ai./IndeksOnline/