11:46 / E Martë, 12 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Detaje për incidentin, ku u përfshi nipi i Jakup Krasniqit

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me incidentin ku u përfshi edhe nipi i Jakup Krasniqit, Arian Krasniqi. Krasniqi, këshilltar politik në MTI, dyshohet se e ka sulmuar fizikisht sekretarin e kësaj ministrie, Burim Rreci

Autoritetet e sigurisë kanë bërë të ditur se rasti po cilësohet si sulm ndaj personit zyrtar dhe se me urdhër të prokurorit, rasti është në procedurë të rregullt.  

“Një rast sulm ndaj personit zyrtar është raportuar të ketë ndodhur në objektin e një ministrie. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor, të cilët ia kanë dhënë ndihmën zyrtarit të lënduar. Me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Nga ana tjetër, sot Krasniqi ka publikuar një fotografi në Facebook, ku shihet në zyrën e tij. Nuk munguan as komentet përshëndetëse ndaj tij.

Raportohet se sulmi kishte ardhur pasi që Krasniqi kishte kërkuar nënshkrimin e pagesave të udhëtimeve që i kishte bërë jashtë vendit, por, që një gjë të tillë nuk ia kishte dorëzuar sekretari Rreci.

Ndryshe, Arian Krasniqi, është djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi ishte punësuar si këshilltar politik i ministrit në detyrë, Endrit Shala, i cili akoma po e mban pozitën.