Detaje se si ish-kryetarit të Shtërpcës dhe pesë të akuzuarve tjerë në rastin “Brezovica 1” iu ndërprehet paraburgimi

Gjykata Themelore në Pejë ua ka ndërprerë masën e paraburgimit ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, si dhe Dimitrije Recicevic, Dragomir Milosavljeviq, Sasha Milosavleviq, Sasha Spasiq dhe Jadran Kostiq, pasi të njëjtëve iu caktua masa e dorëzanisë.
Ndrësa për të pandehurin Raif Bajrami, është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Tringa Zhuti, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Pejë.
Ndërsa, lidhur me atë se çfarë masash janë caktuar për të akuzuarit Hysni Bajrami, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Hysein Ajdini, Mustafë Hyseni, “Betimi për Drejtësi” ende nuk ka marrë përgjigje nga gjykata.
Lidhur me të akuzuarin Nikoliq, avokati i tij, Artan Qerkini, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se i mbrojturi i tij ka paguar shumën prej 50 mijë euro në formë të dorëzanisë. E kjo sipas Qerkinit, pasi Gjykata të enjten në seancën për vlerësimin e paraburgimit, aprovoi kërkesën për zëvendësim të paraburgimit me dorëzani.
Ndryshe, listës së të akuzuarve në këtë rast, i prin sh-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, duke u pasuar nga Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysein Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.
Në seancën e 3 prillit 2023 në Gjykatën Themelore në Pejë, në shtyrtimin fillestar, 11 të akuzuarit për korrupsion në rastin “Brezovica 1”: ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, si dhe Dimitrije Recicevic, Hysni Bajrami, Dragomir Milosavljeviq, Sasha Milosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Hysein Ajdini, Raif Bajrami, Sasha Spasiq dhe Jadran Kostiq, janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë. Kurse, i akuzuari Mustafë Hyseni, shef i departamentit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ka kërkuar nga Prokuroria e Ferizajt, mundësinë e arritjes së marrëveshjës për pranim fajësie.
Bratislav Nikoliq, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, sipas aktit aktakuzes po akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë.
Sipas aktit akuzues të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, akuzohet për katër vepra penale: Keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.
Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, prokuroria e akuzon Nikoliqin se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, në Shtërpcë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.
Aktakuza e Prokurorisë i ngarkon edhe Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajramin dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysen Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.