Detaje të reja nga vrasja e 49-vjeçares shqiptare nga burri i saj në Itali, deklarata e djalit: E prisja…
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e shqiptares 49-vjeçare nga bashkëshorti i saj në Ankona të Italisë.
Kërkimet janë duke vazhduar për Nazif Muslija, 50 vjeç, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij, Sadjide Muslija, 49 vjeçe.
Sipas mediave italiane, viktima u gjet dje, në shtëpinë me shenja të dhunës brutale në kafkë. Nazif Muslija, i cili më parë ishte raportuar për dhunë në familje dhe ishte arrestuar në prill për sulm ndaj gruas së tij me një sëpatë, thuhet se është larguar me një makinë Smart dhe telefoni i tij celular nuk ka qenë i arritshëm që nga mëngjesi i djeshëm.
Hetuesit mjeko-ligjorë kanë punuar gjatë gjithë natës për të gjetur armën e krimit, me hipotezën kryesore që mund të jetë një shkop, por karabinierët ende nuk e kanë gjetur atë. Avokati i Nazifit, Antonio Gagliardi, ka kontaktuar djalin 27-vjeçar të çiftit, i cili jeton në Zvicër, për ta informuar mbi tragjedinë.
“E prisja këtë…” kanë qenë të vetmet fjalë të të riut, i cili vetëm prillin e kaluar kishte strehuar nënën kur babai i tij u arrestua dhe u vu në arrest shtëpie.
Prokurori Rosario Lioniello ka urdhëruar sekuestrimin e shtëpisë ku ndodhi krimi dhe kryerjen e autopsisë mbi trupin e viktimës për të përcaktuar shkakun dhe kohën e vdekjes. Programi i Rai3 “Chi l’ha visto?” ka publikuar fotografinë e Nazifit, duke kërkuar ndihmën e publikut për çdo informacion që mund të çojë në kapjen e tij, pasi hetuesit po përpiqen të ngushtojnë fushën e hetimit dhe të sqarojnë rrethanat e ngjarjes.

