Detaje të reja për zjarrin: Pronari dyshon se rryma mund të jetë shkak, dëmet rreth 250 mijë euro

Një zjarr shpërtheu pasdite në kompaninë “Izolimi”, afër lokacionit të njohur si “Rrethi i Ismetit” në rrugën Prishtinë-Mitrovicë.
Nuk ka të lënduar, ndërsa disa zjarrfikësve iu dha ndihma e parë, më shumë për shkak të tymit, konfirmoi shefi i ndërrimit të Urgjencës, Shpend Rrustemi.
“Thirrja në Qendrën e Mjekësisë Urgjente është bërë rreth orës 14:25. Menjëherë jemi nisur një ekip të vijmë në vend të ngjarjes. Për momentin nuk ka të lënduar, derisa nja dy apo tre zjarrfikësve është dashur t’u jepet ndihma e parë për shkak më shumë të tymit, për shkak të dioksidit të karbonit u kemi dhënë oksigjen. Parametrat kanë qenë mirë, vitalë. Prapë u janë kthyer punës zjarrfikësit. Sipas nesh gjithçka është nën kontroll. Ka qenë intervenimi shumë i shpejtë i zjarrfikësve. Shumë shpejt e kanë lokalizuar rastin”, tha Rrustemi.