Detaje të reja/Problemet e vazhdueshme mes ish-çiftit Sopa përfunduan tek momenti tragjik i vrasjes dhe vetëvrasjes

Mëngjesi i djeshëm për banorët e lagjes Emshir në Prishtinë ka qenë tronditës, pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi në ora 9:00. Ish-bashkëshorti ka qëlluar për vdekje Sebahate Sopen, ndërkohë që mëpastaj afër trupit të saj, Lulezim Sopa ka qëlluar edhe vetën.
Duket se historia e çiftit Sopa ka pasur në vijimësi probleme të bashkëjetesës mes vete.
Ata pas disa viteve martesë janë divorcuar. Megjithatë edhe pas ndarjes, nuk kanë pasur të ndalur problemet e këtij çifti.
Duket se problemet dhe konfliktet mes tyre në dy raste kanë përfunduar edhe në Policinë e Kosovës.
“Bazuar në të dhënat zyrtare rezulton se personat në fjalë kanë qenë palë në dy raste. Njëri nga rastet sulm dhe dhunë në familje është raportuar në vitin 2019 në Gjilan, ndërsa rasti i dytë Dhunë në Familje është raportuar me 03.03.2021, në Graqanicë. Ndërlidhur me rastin e dytë i njëjti është trajtuar nga ana e hetuesve policor të Graqanicës, dhe në koordinim me prokurorin e shtetit janë ushtruar autorizimet ligjore”, ka bërë të ditur Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
Burimet kanë bërë të ditur se deri tek akti tragjik i vrasjes dhe vetëvrasjes ka ardhur kryesisht për motive të xhelozisë.
Banorët kanë treguar ditën e djeshme për IndeksOnline, se Lulëzimi fillimisht ka qëlluar Sebahaten, i ka bërë disa hapa nga vendi i aktit dhe është kthyer për të kryer vetëvrasjen.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 09:00, policia ka pranuar informatën për dy persona të pajetë në lagjen “Emshiri”, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin e shtetit dhe mjekët emergjentë”, ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi i policisë së rajonin e Prishtinës Agron Borovci.
IndeksOnline ka mësuar se viktimës së këtij rasti, Sebahate Sopes i është ofruar urdhërmbrojtës, por e njëjta nuk ka pranuar./IndeksOnline/.