Detaje të reja të aksionit të Policisë në veri të vendit

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për konfiskimin e 272 pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave, në fshatin Trebicë të Komunës së Leposaviqit.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se krahas arrestimit të një personi, pajisjet që janë konfiskuar janë Antiminer që shërbejnë për prodhimin e BITCOIN.

“Në asistencë të këtij operacioni i cili ka filluar në orët e hershme të mëngjesit, janë angazhuar njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat kanë qenë në mbështetje dhe përkrahje të Doganës së Kosovës në realizimin e kontrollit në veri të vendit, konkretisht në fshatin Trebice të komunës Leposaviq, ku janë konfiskuar 272 pajisje të ndryshme ANTMINER që shërbejnë për prodhimin e BITCOIN”, shkruhet në njoftimin e policisë.
Tutje Policia ka bërë të ditur se mjetet e konfiskuara janë: Antminer S9i 14.0T-128 copë, Antminer S9 13.5T-117 copë, Antminer S9 13.0T- 5 copë, Antminer S9i 14.5T- 19 copë dhe Antminer S9 10.5T- 3 copë.
Policia ka bashkangjitur edhe një video nga ky aksion.