00:11 / E Martë, 02 Qershor 2020

Detaje tronditëse nga përdhunimi i 15-vjeçares në Shqipëri: Tentoi dy herë vetëvrasjen!

Në emisionin Opinion është folur mbi rastin e rëndë të abuzimit me të miturën në Tiranë nga një 65-vjeçar.

Detajet e zbuluar më vonë e bëjnë edhe më të rëndë ngjarjen pasi për abuzimin mësohet se kanë patur informacion persona në lagjen ku banonte minorenia si edhe prindërit e saj.

Megjithatë ky fakt nuk u denoncua dhe abuzimi vijonte.

“Më fal kur lagjja e paska ditur, kur shkolla e paska ditur, kur njerëzit rreth e rrotull e paskan ditur, kur familja e ka ditur dhe ti i kërkon medias sot? Ke një shoqëri të tërë që nuk hapin gojën që është një maskarallëk i tërë publik shoqëror dhe gjykojnë vajzën për këtë”- tha Blendi Fevziu.

Vajza ende ndodhet në shtëpi ndërsa Mirgit Vataj, psikolog i “Alo 116”, tha se nesër do të ketë një mbledhje të komitetit ndërsektorial për ta dërguar atë në një qendër sociale.

Gazetarja Klodiana Lala u shpreh e shqetësuar se çfarë po ndodh aktualisht me vajzën dhe shtoi se ajo kishte tentuar dy herë vetëvrasjen.

Vataj – Do të ketë një mbledhje të komitetit teknik ndërsektorial me të gjithë aktorët, që janë shoqëria civile, autoritetet shtetërore.

Lala – Po sot çfarë po ndodh me të? Se që do ta çoni nesër në qendër ma thanë edhe mua. A keni informacion që vajza ka tentuar dy herë vetëvrasjen?

Vataj – Nuk dua të flas me detaje pasi nuk dua të ekspozoj situatën duke nxjerrë të dhëna konfidenciale. /Opinion.al

Mos i humb