09:02 / E Enjte, 27 Shkurt 2020

Detajet e para, trupi i Qerim Kelmendit është djegur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të natës së kaluar në rajonin e Pejës, ku një person është gjetur pa shenja jete.

Sipas policisë për rajonin e Pejës thuhet se viktima në fjalë u gjet brenda veturës, e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri, raporton Indeksonline.

Ndryshe pak më parë në media është raportuar se dyshohet se viktima të jetë Qerim Kelmendi, vëlla i Ibrahim Kelmendit, ish-anëtarit të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Lidhur me rastin, Indeksonline ka kontaktuar prokurorin e Pejës, Agim Kurmehaj, i cili po ashtu tha se trupi i viktimës është djegur.

“Janë duke u zhvilluar hetimet e para lidhur me rastin. Bëhet fjalë për një trup të pajetë, i gjinisë mashkullore. Kemi informacion se trupi i pajetë i këtij personi është djegur. Por duhet pritur saktësisht detajet shtesë”, shtoi Kurmehaj.

Njoftimi i plotë i policisë:

Më 27.02.2020 rreth orës 01:27, Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë.

Me të marrë informatën njësitet e Stacionit policor në Pejë kanë dalë në vendngjarje, ku është vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin.

Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar.

Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, Njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VW Passat me targa vendi.

Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ne bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar “vrasje” dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale për të identifikuar kryesin ose kryesit e mundshëm.