75 Mall Live Search
12:24 / E Premte, 05 Qershor 2026 / P M

Policia jep detaje për arrestimin e dy zyrtarëve komunalë në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës, sot më 05.06.2026 ka pranuar vendimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për largim të mbishkrimit “I Love Mitrovica”.

Në vend të ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet policore, si dhe sipas procedurave të parapara ligjore janë njoftuar inspektorët komunalë, që vendimi në fjalë duhet të shtyhet derisa të pranohet vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).


Në vendin e ngjarjes, ka ardhur kryetari i Mitrovicës së Veriut me rreth njëzetë (20) persona, ku në mesin e tyre ka qenë edhe kryesuesi i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Verit, të cilët pasi janë njoftuar nga komandanti i stacionit policor rreth situatës, kryetari pas dhënies së
intervistës për media, u është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalë “tani do të ngjyrosim me ngjyrë emblemën”.


Derisa zyrtarët policorë kanë njoftuar se një gjë e tillë nuk lejohet të ndodhë, njëherit kanë kërkuar dhe tentuar të ndalonin dëmtimin/ngjyrosjen e objektit publik.


Edhe përkundër kërkesës dhe urdhrit që të ndalohet dëmtimi/ngjyrosja e objektit publik, ata kanë filluar ta ngjyrosnin atë, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë, të cilët kanë shoqëruar dy personat në stacion policor.

Sipas procedurave të parapara të njëjtëve iu është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm. Me urdhër të prokurorit kompetent janë liruar, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.