“Detyrim dhe shmangie nga tatimi” – Arrestohen katër persona në Prizren, përfshihet edhe një kolonel policor

Një aksion i përbashkët i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Prokurorisë Themelore në Prizren ka rezultuar sot me bastisjen e katër lokacioneve dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.
Sipas komunikatës së përbashkët të lëshuar nga këto dy institucione, në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe një zyrtar i lartë policor me gradën kolonel.
Ndaj të gjithë të dyshuarve ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Aksioni është rezultat i një hetimi disa mujor, që sipas IPK-së është zhvilluar me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë nga hetuesit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren, raporton IndeksOnline.
“Në mesin e personave të arrestuar është edhe një zyrtar i lartë policor me gradën kolonel, ndaj të cilëve ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Hetimet në terren janë ende duke vazhduar, ndërsa po mblidhen prova relevante për zbardhjen e plotë të rastit.
Përveç procedurës penale, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin administrativ të kolonelit policor, derisa të përfundojnë hetimet. /IndeksOnline/
Komunikata e plotë: