17:57 / E Premte, 15 Dhjetor 2023 / MSH

“Devolli Corporation” shpallet Punëdhënësi, Eksportuesi dhe Tatimpaguesi i vitit 2023, e vetmja korporatë që rrëmben tri çmimet e OEK

”Devolli Corporation” ia ka dalë edhe këtë vit që të jetë korporata e vetme në Kosovë, e cila ka marrë çmimet në të tria kategoritë e përcaktuara nga Oda Ekonomike e Kosovës për vitin 2023.

“Devolli Corporation” ka rrëmbyer çmimin “Punëdhënësi i Vitit”, çmimin “Eksportuesi i Vitit”, si dhe çmimin “Tatimpaguesi i Vitit”.

Këto çmime u ndanë të enjten mbrëma në Klan Arena, në gala mbrëmjen e mbushur me përfaqësues të bizneseve, me mëse 400 afaristë të suksesshëm nga Kosova, rajoni dhe bota, si dhe me praninë e korit diplomatik të akredituar në Republikën e Kosovës.

Në këtë ngjarje i pari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna foli për rëndësinë e bizneseve në Kosovë të cilët ndihmojnë faktikisht zhvillimin e po ashtu edhe promovimin e shtetit në rajon.

Ai ka falënderuar të gjitha bizneset për ndihmën që e kanë dhënë në vitin 2023 për taksat që ata i paguajnë shtetit, duke theksuar se bizneset janë ato që e mbajnë Kosovën.

Kjo nuk është hera e parë që “Devolli Corporation” shpallet fitues në të tria kategoritë e të bërit biznes të suksesshëm nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Kjo korporatë, me bazë në Kosovë, por me shtrirje edhe në shumë shtete të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe në vitin që po e lëmë pas ka arritur që të afarojë suksesshëm, derisa ka bërë edhe plane për zhvillim në vitet që vijnë.