DFC: Angazhim për të rritur investimet e sektorit privat, në Kosovë

Korporata Ndërkombëtare e Financave dhe Zhvillimit në SHBA ka lëshuar një komunikatë pas përmbylljes së vizitës së kryeshefit të kësaj korporate, Adam Boehler në Greqi, Kosovë, Serbi, Izrael dhe Marok.
Boehler ishte shoqëruar edhe nga emisari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.
“Delegacioni vizitoi Kosovën dhe Serbinë për të mbështetur marrëveshjet e Uashingtonit të 4 shtatorit që vendosën normalizimin ekonomik midis dy vendeve, një moment i rëndësishëm historik që do të nxisë zhvillimin ekonomik në rajon”, thuhet në komunikatë.
Duke u ndalur te vizita në Kosovë, DFC-ja thotë se në Prishtinë është nënshkruar një deklaratë ku theksohet se do të punohet për të rritur investimet në sektorin privat.
“Në Kosovë, DFC-ja nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Qeverinë dhe do të punojë për të rritur investimet e sektorit privat në Kosovë për të forcuar infrastrukturën ajrore, hekurudhore dhe rrugore; si dhe industritë e tjera si energjia, teknologjia dhe turizmi”, thuhet në kominikatën e shtypit.
Në Serbi, DFC-ja thotë se nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Qeverinë dhe njoftoi se do të hapë një zyrë rajonale në Beograd për të lehtësuar zbatimin e projekteve që do të mbështesin rritjen ekonomike. DFC-ja, gjithashtu emëroi John Jovanoviqin, i cili ka një përvojë të gjerë në Ballkan, do të jetë drejtor i ri menaxhues i DFC-së për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun.