75 Mall Live Search
17:33 / E Shtunë, 28 Maj 2022 / MSH

“Dha mbështetje të pakursyer për Kosovën” Kurti kujton Nishanin, e falendëron që i dha shtetësinë shqiptare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar një telegram ngushëllimi për vdekjen e ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, duke e lartësuar si pedagog e si politikan.

Kurti tha se Nishani ka qenë mik dhe përkrahës i madh për Kosovën.

Kryeministri gjithashtu shprehu mirënjohje për Nishanin, për dhënien e shtetësisë shqiptare.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.

Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.

Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo.

I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij.

Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë.