19:13 / E Premte, 13 Maj 2022 / MSH

Dheu i Hënës përdoret për të rritur bimë

Shkencëtarët kanë rritur bimët në tokë hënore, për herë të parë.

Ky është një hap i rëndësishëm për të bërë të mundur qëndrimin afatgjatë në Hënë, shkruan BBC.

Studiuesit përdorën mostra të vogla pluhuri, të mbledhura gjatë misioneve Apollo 1969-1972, për të rritur një lloj lakre.

Çuditërisht, farat mbinë pas dy ditësh.

“Nuk mund t’ju them se sa të habitur ishim”, tha Anna-Lisa Paul, profesoreshë e Universitetit të Floridës, e cila ishte bashkëautore e një punimi mbi gjetjet.

“Çdo bimë – qoftë në një mostër hënore apo në një kontroll – dukej e njëjtë deri rreth ditës së gjashtë.”

Pas kësaj, u shfaqën dallime. Bimët e rritura në tokën e hënës filluan të shfaqin deformim, u zhvilluan më ngadalë dhe përfunduan të rrëgjuara.

Por ata që janë të përfshirë në studim thonë se është një zbulim dhe që ka implikime tokësore.

“Ky hulumtim është kritik për qëllimet afatgjata të eksplorimit njerëzor të NASA-s, pasi ne do të duhet të përdorim burimet e gjetura në Hënë dhe Mars për të zhvilluar burime ushqimore për astronautët e ardhshëm që jetojnë dhe veprojnë në hapësirën e thellë” tha shefi i NASA-s, Bill Nelson.