12:30 / E Hënë, 22 Prill 2019

Dhjetëra greva për 15 muaj, vetëm tri janë paralajmëruar në MPMS

Me greva e protesta nga sektorë të shumtë publik është karakterizuar viti që lamë pas dhe tre muajt e vitit 2019.

Mjekët dhe punëtorët e tjerë shëndetësor, punonjësit e sistemit gjyqësor e ata të arsimit, janë vetëm disa nga grevistët e këtyre 15 muajve.

Mbajtja e grevave rregullohet me Ligjin për Grevat, i cili përcakton të drejtat e të punësuarve, kushtet dhe mënyrat e organizimit të grevës, si dhe të drejtat dhe detyrimet e të punësuarve dhe punëdhënësve gjatë mbajtjes së grevës.

Neni 5, i udhëzimit administrativ, i cili përcakton obligimet që duhet të kryhen gjatë mbajtjes së grevës, thotë se shtatë ditë para fillimit të grevës, ajo duhet të lajmërohet te punëdhënësi, organi kompetentë shtetëror dhe sindikata.

“Këshilli grevist ka për obligim të paralajmërojë grevën te punëdhënësi, organi kompetent shtetëror dhe sindikata jo më vonë se shtatë (7) ditë nga dita e caktuar për fillimin e grevës”, thuhet në këtë udhëzim, transmeton Indeksonline.

Për grevat të cilat mbahen, sipas ligjit, obligohet një organ nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale të mbajë shënime.

Neni 24 i Ligjit për Grevat thotë se evidenca duhet të mbahen lidhur me numrin e grevave të organizuara, kërkesat e parashtruara të grevistëve në grevë, zgjatjen e grevës, vendin dhe mënyrën e ndërprerjes së grevës e të tjerë.

Përgjatë vitit 2018 dhe tre muajve të parë të vitit 2019, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë paralajmëruar vetëm tri greva.

Musa Demiri, nga Zyra për Komunikim Publik në këtë ministri, për Indeksonline tha se kanë marrë paralajmërime nga shoqata sindikale e KEP-Trustit, kirurgët dhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Sipas nenit 24 të Ligjit për grevat, Këshilli Grevist është i detyruar që MPMS t’i dorëzojë vendimin për organizimin dhe mbajtjen e grevës. Ne gjatë këtij viti kemi pasur vetëm tri paralajmërime të grevave nga shoqata sindikale e KEP-Trustit, nga Kirurgët dhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndërsa për ndërprerje nuk jemi njoftuar”, ka deklaruar Demiri.

Sipas tij, lidhur me këto paralajmërime kanë njoftuar edhe Inspektoratin e Punës dhe të njëjtit nuk kanë hasur në ndonjë shkelje të ligjit në organizimin e grevave të paralajmëruara.

“Lidhur me këto paralajmërime ne kemi njoftuar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, pasi që Inspektorati i Punës bën mbikëqyrjen e këtij ligji dhe nuk kemi hasur në ndonjë paligjshmëri të tyre”, ka thënë ai.

Ndërsa kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, tha se për detyrë kanë të shohin nëse ka ndonjë shkelje gjatë organizimit të grevave nga të dy palët, edhe nga organizuesit edhe nga subjekti ndaj të cilit organizohet greva.

“Ne merremi me grevat që janë të lajmëruara në ministri dhe shohim nëse ka ndonjë shkelje mes palëve, nëse është dëmtuar punëtori për mbajtjen e grevës”, tha Ibrahimi për Indeksonline.

Se sa greva janë mbajtur gjatë këtyre 15 muajve, dhe a i kanë lajmëruara ato në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Indeksonline ka kontaktuar edhe me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Sipas tyre, gjatë vitit të kaluar, grevë kanë mbajtur punëtorët e Pallatit të Rinisë, sindikalistët e KEDS-it, e Sindikatës së Arsimit dhe e punëtorëve të judikaturës.

Ndërsa, gjatë vitit 2019, ka pasur grevë nga SBASHK, nga Sindikata e Sektorit Privat dhe nga ajo e Pylltarisë.

“Grevat 2018 të sindikatave në kuadër të BSPK-së: Greva e punëtoreve të Pallatit të Rinisë, Grevat (dy) e sindikalisteve të KEDS-it, greva një orëshe e SBASHK 27.12.2018, greva e organizuar nga Sindikata e punëtorëve të judikaturës”.

“Grevat 2019 të sindikatave në kuadër të BSPK-së: Greva e SBASHK- 14.01.2019, e Sindikatës së Sektorit Privat, shkurt, 2019, e Sindikatës së Pylltarisë, Bujqësisë, Industrisë së Drurit, Mjedisit dhe Gjuetisë së Kosovës nga data 29.01.2019 i bashkëngjitet grevës se Shërbimit Civil për t’i shprehur pakënaqësitë ndaj Draft Ligjit të Pagave dhe Greva e Shërbyesve Civil”.

Të pyetur nëse grevat e mbajtura nga sindikatat që janë në kuadër të BSPK-së lajmërohen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, këta të fundit besojnë se ato bëhen duke zbatuar në ligjin që është në fuqi.

“Sa i përket pyetjes lidhur me njoftimin e MPMS lidhur me grevat, le te pyeten vet sindikatat që kanë mbajtur grevat, ngase ato detaje i bëjnë secili për vete dhe BSPK nuk e njoftojnë sindikatat me detajet organizative, secila i kryen vet besojmë pjesën organizative konform ligjit përkatës”, thuhet në përgjigjen e BSPK-së. /Indeksonline/