16:28 / E Enjte, 12 Maj 2022 / MSH

Dhjetëra kërkesa të bizneseve i dorëzohen Zëvendësministrit Durmishi

Sfidat e sektorit të transportuesve, kufizimi i lejeve të transportit e lejet e vendeve të treta, taksa ekologjike për rimorkio, rritja e çmimeve furnizuese, mungesa e vizave për shofer, mosnjohja e patentë shoferëve, sinjalizimi i rrugëve sipas standardeve si dhe pajisjet me leje mjedisore e ujore ishin disa nga shumë çështjet e diskutimit në takimin e përbashkët të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, me Zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Hysen Durmishi dhe bizneset anëtare.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi falënderoi Zëvendësministrin Durmishi për gatishmërinë për të realizuar një komunikim të drejtpërdrejtë me komunitetin e biznesit, pasiqë konsideroi që kjo është mënyra më e lehtë për të identifikuar dhe zgjidhur së bashku sfidat e bizneseve duke i prezentuar me dhjetëra kërkesa të bizneseve.

Tutje Krasniqi shtoi që institucionet vendore, me theks të veçantë MMPHI duhet të loboj që Kosova të jetë anëtare e Rrjetit Europian të Transportit CEMT, gjë e cila do të mundësonte realizimin e transportit ndërkombëtar, gjë që po i shkakton vendit tonë humbje në miliona euro.

Gjithashtu, sektori i transportit po dëmtohet edhe nga Ligji Nr.04/L-117 për Taksë Rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve, me të cilin rregullohet edhe taksa ekologjike për rimorkio, e poashtu u konsiderua si shumë e domosdoshme sinjalizimi i rrugëve sipas standardeve, pasi që në baza ditore po raportohen raste të aksidenteve me fatalitet.

Zëvendësministri Durmishi theksoi që në vazhdimësi janë duke punuar në trajtimin e çdo kërkese të deleguar nga bizneset si dhe janë duke trajtur ligjet dhe udhëzimet administrative që janë në kuadër të MMPHI-së, në mënyrë që të thjeshtësohen procedurat burokratike.

Zëvendësministri Durmishi tutje shtoi që aktualisht janë duke punuar në arritjen e marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Turqinë për numrin e lejeve të transportit, e gjithashtu po trajtojnë edhe kërkesat e adresuara nga bizneset për kontratat publike.

Sipas Zëvendëministrit Durmishi, MMPHI ka shënuar avancim në çështjen e kalimit nga tahografët analog në ato dixhital, e për të cilën pritet që shumë shpejtë Republika e Kosovës të pajiset me kodin shtetëror, gjë e cila do të krijoj shumë lehtësira për ekonominë vendore.

Zëvendësministri Durmishi shtoi që MMPHI me të gjithë kapacitetin e saj është e angazhuar që të mbroj bizneset vendore si dhe të krijoj sa më shumë lehtësira për të njejtat.

Në pjesën e diskutimit të hapur, bizneset parashtruan kërkesat e tyre për Zëvendësministrin Durmishi, nga i cili u pranuan përgjigje konkrete.

Në fund u dakordua që në një kohë të shkurtër të realizohet takimi i radhës për të diskutuar me Zëvendësministrinë në lidhje realizimin e këkesave të adresuara nga ana e OAK-së.Përmes takimeve të natyrës së tillë, Oda e Afarizmit të Kosovës në vazhdimësi po kontribuon në rritjen e bashkëpunimit e komunikimit të drejtëpërdrejtë të komunitetit të biznesit me institucionet, pasi që beson fuqishëm që vetëm në këtë mënyrë do të arrihet deri tek krijimi i një ambienti sa më të favorshëm për të bërit biznes në vend.