Dhjetëra të vdekur e të zhdukur nga përmbysja e një anijeje me emigrantë në Itali

Të paktën 26 persona u mbytën të mërkurën pasi dy anije që transportonin gati 100 emigrantë u përmbysën pranë ishullit italian të Lampeduzës.
Lajmin e ka konfirmuar roja bregdetare italiane.
“Emigrantët po bënin udhëtimin e rrezikshëm përmes Mesdheut Qendror nga Libia, kur anijet u përmbysën dhe 60 persona u shpëtuan në det”, tha Filippo Ungaro, zëdhënësi italian i UNHCR-së, shkruan “The New York Times”.
Lajmet italiane thanë se midis viktimave ishte një foshnjë dhe tre adoleshentë.
Nuk ishte e qartë se sa njerëz mund të jenë të zhdukur.
Shumica e të mbijetuarve – 56 burra dhe katër gra, u dërguan në një qendër emigrantësh në Lampedusa, ku disa u thanë vullnetarëve se kishin udhëtuar në dy anije të dëmtuara.
Pasi njëra anije filloi të mbushej me ujë, disa nga emigrantët u ngjitën në anijen tjetër, e cila u përmbys si rezultat i peshës së shtuar, sipas dëshmive të dhëna në Organizatën Ndërkombëtare për Migracion.
Më shumë se 32,000 migrantë kanë vdekur në ujërat e Mesdheut që kur organizata e migrantëve filloi të gjurmonte vdekjet në det në vitin 2014.
Deri tani, këtë vit kanë vdekur ose janë zhdukur 675 migrantë, që po kalonin gjatë Mesdheut Qendror drejt Italisë dhe Maltës.