Dhjetëra të vrarë pranë pikave të ndihmave në Gaza, palët shkëmbejnë akuza

Të paktën 25 palestinezë janë vrarë gjatë natës pranë një kamioni që transportonte miell dhe një qendre shpërndarjeje ushqimi të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), sipas burimeve spitalore në territorin palestinez, raporton BBC.
Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, viktimat janë shkaktuar nga të shtënat e forcave izraelite, ndërsa në disa raste të tjera, persona janë shtypur nga vetë kamionët gjatë shpërndarjes së ndihmave.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite pretendon se trupat e saj janë qëlluar me armë zjarri ndërsa persona të dyshuar iu afruan pozicioneve të tyre, duke mos dhënë më shumë detaje për ngjarjen.
Në një tjetër incident pranë një qendre të GHF në Rafah, të paktën 14 persona të tjerë janë vrarë nga zjarr izraelit, sipas spitalit në Khan Younis. Ushtria izraelite ka deklaruar se po heton raportimet në lidhje me ngjarjet në Rafah.
Fondacioni Humanitar i Gazës ka njoftuar se më shumë se 43,000 pako ushqimore janë shpërndarë në mënyrë paqësore në tre qendrat e tij në Rafah dhe Gazën qendrore të mërkurën. Megjithatë, incidentet vdekjeprurëse pranë këtyre qendrave janë bërë të zakonshme që prej fillimit të programit të diskutueshëm të shpërndarjes më 26 maj.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e kontrolluar nga Hamasi, 223 persona janë vrarë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma në dy javët e fundit, përfshirë 57 vetëm të mërkurën.
Kjo nuk është hera e parë që raportohen viktima në afërsi të qendrave të ndihmës. Disa ditë më parë, të paktën 18 palestinezë humbën jetën nga të shtënat e ushtrisë izraelite pranë një pike shpërndarjeje në Korridorin Netzarim, sipas zyrtarëve spitalorë.
Ndërkohë, agjencia zyrtare palestineze WAFA raportoi se të paktën 23 palestinezë janë vrarë në sulme të ndryshme izraelite në të gjithë Rripin e Gazës që nga mëngjesi i 10 qershorit.
Përplasjet pranë qendrave të ndihmës humanitare janë bërë të shpeshta ditët e fundit, ndërsa Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, ka akuzuar Hamasin për ndërprerje të qëllimshme të shpërndarjes së ushqimit në disa zona të Gazës.