09:49 / E Hënë, 15 Gusht 2022 / MSH

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga KEDS-i të mos ketë reduktime të energjisë për bizneset

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka kërkuar nga KEDS që të kursejë bizneset nga vendimi i fundit për reduktimet.

“Reduktimet e energjisë elektrike në këtë kohë të rëndë për bizneset, do t’i dëmtonin në masë të madhe ato dhe pasojat do të jenë në humbjen e tregut si brenda ashtu edhe jashtë vendit si dhe në humbjen e vendeve të punës” thuhet në deklaratën e Dhomës së Tregtisë.

Tutje, ata kanë kërkuar nga KEDS dhe dhe Qeveria e Kosovës që të ndërmirren masa, në mënyrë që bizneset të furnizohen 24 orë me energji.

Sipas tyre, Qeveria duhet të bëjë më shumë, për të tejkaluar këtë krizë.

“Dhoma e Tregtisë kërkon edhe një herë nga Qeveria që ti përkrahë bizneset me kredi të buta, ulje të TVSH-së në ushqim, heqje të përkohshme të akcizës, ndryshimin e disa politikave fiskale, e aprovimin e disa ligjeve të cilat do të kontribuonin në ruajtjen e vendeve të punës dhe mundësitë e rritjes së tyre” thuhet në deklaratë.