Dhoma e Tregtisë mirëpret anulimin e vendimit për treg të hapur: U vërtetua se ZRRE ka vepruar kundërligjshëm

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, përmes një komunikate ka bërë të ditur se e mirëpret vendimin e Gjykatës Komerciale, pasi që e njëjta ka vendosur për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Në komunikatë shtohet edhe se, vendimi në fjalë vërteton deklarimet e tyre se ZRRE ka vepruar kundërligjshëm kur ka vendosur që për një afat të shkurt dhe pa konsultime e analiza paraprake t’i detyrojë mbi 1300 kompani që të dalin në tregun e hapur.
Po ashtu theksohet se, Dhoma e Tregtisë është e para që ka ushtruar ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përderisa tashmë janë dhjetëra kompani që kanë dërguar ankesë në gjykatë rreth këtij vendimi.
Komunikata:
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, mirëpret vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë, e cila pezulloi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Ky vendim vërteton për të satën herë deklarimet tona se ZRRE ka vepruar kundërligjshëm kur ka vendosur që për një afat të shkurt dhe pa konsultime e analiza paraprake t’i detyrojë mbi 1300 kompani që të dalin në tregun e hapur, derisa në këtë proces është vetëm një kompani që po jep oferta të furnizimit.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në emër të bizneseve është e para që ka ushtruar ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërkohë tashmë janë dhjetëra kompani që kanë dërguar ankesë në gjykatë rreth këtij vendimi.