21:58 / E Shtunë, 25 Mars 2023 / MSH

Dhoma e Tregtisë viziton kompaninë Elkos, pas incidentit me zjarr

Në takimin e përbashkët të zhvilluar sot në Pejë, Bordi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, së bashku me Drejtoreshën Ekzekutive, u informuan nga pronari i kompanisë Ramiz Kelmendi lidhur me situatën e krijuar pas ngjarjes së rëndë në njërin nga objektet e saj në Pejë.

Pavarësisht se dëmet materiale të shkaktuara nga zjarri në Elkos Center janë shumë të mëdha, pronari i kompanisë Kelmendi, shprehet falendërues që fatmirësisht nuk pati viktima në njerëz, përveç lëndimeve të lehta gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit.

Përfaqësuesit e DHTIK vizituan objektin e djegur dhe vlerësuan evakuimin efikas, që siguroi të mos ketë viktima në njerëz.

Poashtu, Kelmendi u shpreh se pavarësisht dëmeve materiale të vlerësuara deri në dhjetra miliona euro, ai theksoi se puna e Elkos Group do të vazhdojë normalisht.