Dhoma e ulët e Bundestagut e mbështet planin për ndalimin e ribashkimit familjar për disa refugjatë

Dhoma e ulët e Bundestagut në Gjermani të premten miratoi një projektligj për ta pezulluar bashkimin familjar për emigrantët që nuk i plotësojnë kushtet për statusin e plotë të refugjatit, duke përmbushur një premtim zgjedhor të konservatorëve për ta kufizuar imigrimin dhe për ta lehtësuar trysninë ndaj sistemit të integrimit.
Migrimi ishte çështje kyçe në zgjedhjet federale të shkurtit, në të cilat partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, e siguroi vendin e dytë historik me platformën e saj kundër imigrantëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gjermania aktualisht është nikoqire e rreth 388 mijë refugjatëve me “status të mbrojtjes me shtesa”, formë e mbrojtjes ndërkombëtare që u jepet njerëzve që nuk i plotësojnë kushtet për refugjatë, por prapëseprapë ballafaqohen me rrezik të vërtetë për lëndim serioz, nëse kthehen në vendin e prejardhjes.
Shumica e njerëzve që e kanë këtë status në Gjermani janë sirianë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, tha se projektligji i ri ishte i nevojshëm për shkak se kapaciteti i integrimit në Gjermani, sidomos në arsim, kujdes ndaj fëmijëve dhe strehim, kishte arritur në kufirin e vet.
“Imigrimi duhet të ketë kufij dhe ne do ta pasqyrojmë këtë politikisht” – tha ai në Bundestag gjatë një debate të tensionuar para votimit të së premtes.
444 ligjvënës votuan për, ndërsa vetëm 135 e kundërshtuan legjislacionin e ri.
Ministri Dobrindt tha se pezullimi i bashkimit familjar do të ndihmojë në parandalimin e imigrimit ilegal përmes pengimit të rrjeteve të trafikimit, të cilat shpesh mbështeten te dërgimi i një anëtari të familjes para se t’i sjellin të tjerët më vonë.