75 Mall Live Search
21:30 / E Premte, 04 Korrik 2025 / MSH

DHTIK: Bizneset po mbyllen – importi po rritet ndjeshëm nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësim për situatën e krijuar si pasojë e moskonstituimit të kuvendit.

Sipas DHTIK-së, vonesat e njëpasnjëshme në gjetjen e një zgjidhjeje efektive po dëshmojnë mungesë serioze të gatishmërisë institucionale për të adresuar këtë krizë të krijuar pikërisht nga vet institucionet publike.

Duke listuar pengesat e krijuara nga funksionimi i ngadaltë i institucioneve po thellon krizën ekonomike në vend.

“Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, importi i zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut ka kapur vlerën prej mbi 676 mijë euro, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar kjo shumë ishte vetëm 430 mijë euro – një rritje alarmante që dëshmon për dështimin në mbrojtjen e bizneseve të vendit” thuhet në reagimin e Dhomës.

Ky është deklarimi i plotë:

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin e thellë për situatën alarmante që po përshkallëzohet si rezultat i bllokadave institucionale ndaj sektorit minerar dhe shumë sektorëve të tjerë.

Vonesat e njëpasnjëshme në gjetjen e një zgjidhjeje efektive po dëshmojnë mungesë serioze të gatishmërisë institucionale për të adresuar këtë krizë të krijuar pikërisht nga vet institucionet publike.

Fillimisht, formimi i Zyrës për Menaxhimin e Pronës Publike, brenda Zyrës së Kryeministrit, u shty për një kohë të gjatë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe angazhimit të DhTIK-së.

Tani, pengesë shtesë është bërë mosgatishmëria e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për të ndryshuar Udhëzimin Administrativ për Qiranë e Pyjeve dhe Tokës Pyjore, dokument ky kyç për rifunksionalizimin e shumë bizneseve, pasi të njëjtat nuk po mund të vazhdojnë licencat e tyre tek institucione tjera.

Dhoma ka kërkuar takim urgjent me drejtues të kësaj ministrie, si dhe me Kryeministrin në detyrë, mirëpo deri më tani, nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Pasojat tashmë janë të dukshme:

Bizneset në sektorin minerar po pezullojnë aktivitetin, vendet e punës po humbin, buxheti i shtetit po pëson humbje të mëdha, e bënë vendin tonë më të pafavorshëm për investime dhe për më tepër e rrit importin.

Ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, të dhënat e fundit të Doganës së Kosovës, kanë vërtetuar rritje enorme të importit.

Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, importi i zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut ka kapur vlerën prej mbi 676 mijë euro, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar kjo shumë ishte vetëm 430 mijë euro – një rritje alarmante që dëshmon për dështimin në mbrojtjen e bizneseve të vendit.

DhTIK ngre alarmin edhe një herë dhe i bën thirrje të gjitha institucioneve publike të reagojnë menjëherë, para se dëmi të jetë më i madh.