DHTIK-ja, pas deklarimit të ZRRE-së: Nuk kemi pranuar asnjë aktvendim nga Gjykata

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka reaguar lidhur me deklaratat e fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, që përmend një aktvendim të supozuar të Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me padinë e tyre.
DhTIK-ja thotë se deri më sot nuk ka pranuar asnjë aktvendim nga Gjykata lidhur me këtë çështje.
“Pretendimi i ZRrE-së se ky proces nuk mund të ndalet, është në kundërshtim me vetë parimet e shtetit ligjor dhe të drejtës për mbrojtje gjyqësore.
Çdo vendim duhet të merret në mënyrë transparente, dhe me respektim të plotë të të drejtave të palëve në procedurë” thuhet në reagim.
Nga Dhoma deklarojnë se po e presin aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e më pas do të dalin me qëndrim zyrtar.
“DhTIK qëndron fuqishëm prapa deklarimeve të saj se procesi i liberalizimit është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedurale dhe substanciale, të cilat janë evidentuar edhe nga institucionet evropiane.
Ne do të vazhdojmë të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe për të siguruar që proceset e reformave në vend të zhvillohen në përputhje me ligjin, interesin publik dhe standardet evropiane” thuhet tutje reagim.