09:27 / E Mërkurë, 05 Qershor 2024 / k.v

Dhuna e Sokol Mëngjesit, 3 ditë bojkot! Avokatët braktisin çdo proces civil, penal dhe administrativ

Avokatët e të gjitha gjykatave në vend kanë vendosur të përfshihen në bojkot tre ditor, pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Një ditë më parë, Këshilli i Përgjithshëm i Avokatëve vendosi që për tri ditë, avokatët në të gjithë vendin do të braktisin çdo proces civil, penal dhe administrativ. Përjashtim bëjnë vetëm seancat e masave të sigurisë.

Mbledhja u thirr një ditë pasi avokati Sokol Mëngjesi, i cili vazhdon të jetë i intubuar prej një jave, u transportua për kurim më të specializuar në Greqi. Sokol Mëngjesi u sulmua nga dhëndri i klientit të tij Dritan Nano, që të dy të arrestuar. Konflikti me avokatin kishte nisur mbasi i dyshuari nuk po respektonte kontratën mbi një proces pronësie, për të cilën familjarët e Nanos kanë denoncuar në polici se është falsifikuar nga një tjetër i afërm i tyre.