75 Mall Live Search
20:52 / E Premte, 16 Shtator 2022 / MSH

Dhuna e transmetuar në media; KPM-ja duhet ta ndryshojë rregulloren, çfarë thotë sociologu e psikologu

Në ditët e sotme, vështirë që mund të imagjinohet jeta pa televizion dhe pa rrjete sociale.

Në bazë të një publikimi të Agjencisë së Statistikave të Kosovës lidhur më përdorimin e teknologjisë në vitin 2021, del se 96.1% e familjeve në Kosovë kanë pasur qasje në internet nga shtëpitë, nga çfarëdo pajisjeje.

Duke ditur se mediat janë shtyllë bazë e informimit, edukimit dhe influencimit,duhet kushtuar kujdes të veçantë fjalorit, veprimeve si dhe akteve të cilat transmetohen.

“It’s my home” është një format “reality show”, i cili ditëve të fundit është duke u akuzuar se po transmeton dhunë dhe bullizëm.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Komisioni i Pavarur i Mediave duke e ndalur transmetimin e tij në televizionin First Channel.

Por, çfarë ndikimi kanë formatet e tilla në shoqëri?

Sociologu, Genc Xërxa, këto formatet i sheh nga një kënd tjetër.

Ai thotë se emisionet e tilla kanë ndikim degradues tek rinia dhe tek vetëdijesimi i normave të mirëfillta sociale në rreth.

 “Mendoj se nuk i bënë nder rinisë dhe audotoriumit tonë, por sido që të jetë kanalet private targetojnë një grup të caktuar social e shpesh ata janë rinia…por ajo ka ndikim degradues në formimin e tyre dhe vetëdijesimin e normave të mirëfillta sociale ne rreth, respektuar tjetrin, tolerancën, komunikimin dhe shmangien e bullizmave apo stereotipave, paragjykimeve që dërgojnë pastaj tek stigmatizimi apo konflikti mes individëve”, është shprehur Xërxa për IndeksOnline.

Sociologu thotë se të rinjtë e shoqërisë sonë janë më të interesuar dhe mund t’i marrin si model personat që gjinden aty dhe të sillen sipas mënyrës së tyre. E që sipas tij shpesh mund të jetë joedukuese apo fyese në raport me vlerat sociale. 

Xërxa shton se mosha e cila është më e prirë të imitoj sjelljet që transmetohen në televizion janë grupmoshat e reja.

“Mosha e re janë më kureshtar, eksperimentues dhe janë ende në definim te personalitetit te tyre, e kjo mund ndikoj negativisht ne formimin e tyre”.

Çfarë mund të bëjë dhe çfarë jo KPM-ja në këtë rast?

Komisioni i Pavarur i Mediave, të enjten në një postim në rrjetet sociale ka bërë se ka kërkuar ndalimin e transmetimit i “It’s my home”, sepse televizioni “First Channel”, e ka transmetuar atë pa aprovim të KPM-së për ndryshim të skemës programore.

Por, ky “reality show”, është duke u transmetuar direk në YouTube, çfarë do të thotë kjo?

Njohësi i mediave, Alban Zeneli tregon së KPM-ja nuk ka kompetencë për të ndërhyrë në rrjetet sociale. Është publiku ai i cili vendosë çfarë të shikojë dhe çfarë jo.

“Kompetencat e KPM-së përfundojnë në transmetim. KPM-ja nuk ka kompetencë për ta rregulluar sferën e internetit. Sfera e internetit mundet të rregullohet dhe duhet me pas një qasje e cila është qasje me një publik të edukum mediatikisht, i cili mbërrin me gjyku se çka është e duhura për të dhe në këtë formë atë që është jo e duhur e refuzon”, është shprehur Zeneli për IndeksOnline.

Përkundër kësaj, profesori i gazetarisë, thotë se KPM-ja nuk ka diçka të shkruar në Kodin Etik se si duhet me u sjell media në këto situata kur transmetimi është i drejtpërdrejtë.

Lidhur me këtë çështje, Zeneli, thotë se duhet të bëhen ndryshime në rregullativën e KPM-së, pasi që ajo nuk është e duhura për mediat e sotme.

“KPM-ja ka marr një vendim dje për me tërheq atë program për shkak se nuk e ka lajmëruar ndryshimin e skemës programore ma herët televizioni në fjalë. Kjo tregon që rregullativa e KPM-së nuk është e duhura për kohën në të cilën mediat janë duke u zhvillu dhe niveli që e kanë arritur sot. Nëse i shohim ndryshimet që kanë ndodh në media prej vitit 2012- 2013 kur për herë të fundit janë përditësuar dokumentet e KPM-së e kemi të qartë që ato nuk i përfshijnë një gamë të gjerë të problematikave të reja.”

Sipas njohësit të mediave, ndryshimet që duhet të bëhen përfshijnë kodin etik, termet e licencës dhe dokumentet tjera relevante që lidhen me mediat.

Media, dhuna dhe bullizmi!?

Psikologia Mimoza Shahini, thotë se mësimi i dhunës përmes mediave po ndodh në të vërtetë.

Madje, ajo thotë se ajo shpërndahet sidomos në mjediset familjare.

“Është fakt që dhuna e shpërfaqur në çfarëdo media ka efekt në individ pasi ajo nuk mund të cilësohet  si e parëndësishme, pasi audience jo vetëm që e interpreton përmbajtjen e saj por dhe e konsumon atë duke e shpërndarë në një audience edhe me të gjerë, sidomos në mjediset familjare në prani të fëmijëve, por edhe në mjediset e bashkëmoshatarëve kur flasim për fëmijët dhe adoleshentet”, është shprehur Shahini për IndeksOnline.

Psikologia ka treguar se ekspozimi ndaj dhunës nëpërmjet medias ka efekte në rritjen e nxitjes për agresion, frikë nga viktimizimi, efektet e shëndetit mendor si sjellja agresive dhe e dhunshme, bullizmi, depresioni, ankthet.

Madje, sipas psikologes bullizimi shihet si një nga fenomenet e cila inspirohet nga përmbajtjet e dhunshme të shfaqura në media, duke e sofistikuar mënyrën se si ata i bullojzojnë të tjerët dhe gjithashtu duke e shikuar si mjet të arritjes së qëllimeve te tyre.

IneksOnline ka dërguar pyetje tek Komisioni i Mediave të Pavarura, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë, KPM-ja të enjten ka ndaluar transmetimin e “It’s my home”, për shkak se First Channel nuk e ka lajmëruar ndryshimin në skemën programore, e jo për përmbajtjen./IndeksOnline/