23:03 / E Enjte, 05 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Dhuna në familje “fenomen” shqetësues – Fundviti i gjen burrat e Kosovës të dhunshëm

Jemi në përfundim të dekadës së dytë së shekullit 21, dhe dhuna në familje po vazhdon të jetë një problem shqetësues në Kosovë.

Vetëm në gjashtë mujorin e parë në Kosovë janë regjistruar mbi 600 raste të dhunës në familje, kurse në vitin e kaluar kanë qenë mbi 1500 raste.

Sipas raporteve policore, vetëm në katër ditët e parë të muajit dhjetor janë 12 raste.

Në një tryezë të organizuar nga Zyra e koordinatorit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, gjatë ditës së djeshme, u prezantuan të dhënat për evidentimin e dhunës, ku u theksua se viktimave duhet t’u ofrohen ndihmë dhe përkrahje.

Annette Fath Lihic, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka kërkuar nga institucionet përkatëse që t’i mbrojnë viktimat e dhunës në familje dhe të dënohen ata që kryejnë vepra të tilla.

“Dhuna në familje është e shprehur gjithandej jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë botën. Nevoja për drejtësi është e madhe për viktimat e dhunës në familje. Viktimat duhet të jenë në fokus. Ata duhet të ndjejnë që nuk janë vetëm.

Mosndëshkimi i atyre që kryejnë dhunë në familje shumë shpesh është një realitet. Institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi që t’i mbrojnë qytetarët e tyre në përgjithësi, por viktimat e dhunës në familje në veçanti”, ka thënë ajo.

Më poshtë keni rastet e dhunës në familje gjatë muajit dhjetor:

Fsh. Remnik, Viti 04.12.2019 – 18:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar i cili pas një mosmarrëveshje në familje e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e  tij viktimës femër K/Shqiptare e cila ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit  është dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse viktima për shkaqe sigurie është dërguar në strehimore. Rasti vazhdon të hetohet.

Fushë Kosovë 04.12.2019 – 08:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar i cili në vazhdimësi për pesë muaj kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër K/Shqiptare e cila ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit  është dërguar në mbajtje për 48 orë, rasti vazhdon të hetohet.

Prizren  03.12.2019, 22:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij dhe nen ndikim te alkoolit ia kishte vënë flakën shtëpisë së tij. Për veç dëmeve materiale , nuk raportohet për te lënduar. I dyshuari me vendim te prokurorit dërgohet në mbajtje.

Podujevë 02.12.2019 – 08:02. Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje, ka sulmuar fizikisht ish-bashkëshorten e tij viktimën femër K-Shqiptare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Bulevardi i Pavarësisë, Gjilan Nëntor – 2019. Me 02.12.2019 është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti e kishte dhunuar viktimën femër K-Shqiptare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Viti 02.12.2019 – 21:10. Viktima femër K-Shqiptare ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari (bashkëshorti i saj) mashkull K-Shqiptar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është në kërkim policor.

Mamushë 30.11.2019 – 09:30. Me 02.12.2019 viktima femër K-Turke ka raportuar se me datën 30.11.2019 është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull K-Turk. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Nuk raportohet për të arrestuar.

Gjakovë 02.12.2019 – 08:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Ashkali, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër K-Egjiptiane. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Gjakovë 02.12.2019 – 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Rom, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e vëllait të tij viktimën femër K-Rome, ka thyer xhamat e shtëpisë së tyre. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Fushë Kosovë   01.12.2019 – 10:30. Viktima femër K-Ashkalike ka informuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull K-Rom. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar, rasti shkon në procedurë të rregullt.       

Prishtinë   01.12.2019 – 18:00. Viktima femër K/shqiptare ka raportuar se qe një kohë të gjatë është duke u keqtrajtuar psiqikisht nga i dyshuari mashkull K/shqiptar me të cilin kishte bashkëjetuar.  Njësitë policore janë duke hetuar rastin, i dyshuari gjendet në arrati.

Prizren   01.12.2019 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar i cili ka sulmuar fizikisht viktimën, femër K/Shqiptare. I dyshuari është përsëritës i këtyre veprave dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. Viktima është dërguar në strehimore./Indeksonline/