17:41 / E Martë, 23 Prill 2024 / k.v

Dhuna në familje/ Ministrja Haxhiu letër kryetarëve të komunave: Zbatoni obligimet që dalin nga Strategjia

Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, javën e kaluar, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu iu është drejtuar 38 kryetarëve të Komunave të Kosovës, me kërkesën për zbatim të obligimeve që dalin nga Strategjia kundër dhunës.

Krahas angazhimit nga niveli qendror, ajo thotë se janë rreth 40 obligime që duhet të adresohen nga komunat ashtu që të kontribuohet përmbajtësisht në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe ajo me bazë gjinore.

E para e drejtësisë thotë se me urgjencë duhet të veprohet në këto obligime:

➡️Të mbështeten për pavarësim financiar viktimat e dhunës në familje:

1️⃣Duke mbuluar pagesën për qera

2️⃣Duke mbuluar shpenzimet mujore për të mbijetuarat

➡️Subvencionimi i pagesave për kopshte të fëmijëve të viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave

➡️Të pajisen me detektor të sigurisë të gjitha strehimoret dhe QPS-të nga komunat

➡️Të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në QPS, bazuar në analizën që ka                      bërë Ministria e Drejtësisë në të gjitha Komunat

➡️Shtrirja e qasjes shumë-sektoriale të koordinuar të trajtimit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave në mbarë Kosovën, përmes themelimit të Mekanizmave Koordinues në komunat ku mungojnë

➡️Informimi i viktimave/të mbijetuarave të dhunës në familje e dhunës ndaj grave, si dhe publikut në tërësi, mbi të drejtat e tyre dhe shërbimet ku mund të marrin ndihmë, përfshirë ndihmën juridike falas për personat e ekspozuar ndaj dhunës, në një gjuhë që ato/ata e kuptojnë;

➡️Mbështetja e strehimoreve me financim të vazhdueshëm;

Për të ofruar siguri dhe mirëqenie për vajzat dhe gratë, veprimi duhet të jetë i përbashkët dhe ndërinstitucional, në këtë drejtim, uroj që të gjithë kryetarët të reflektojnë mbi politikat lokale dhe të zbatojnë obligimet që dalin nga Strategjia.