75 Mall Live Search
09:06 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

Dhuna në familje po e merr një dimension të ri, fëmijët sulmojnë prindërit

Dhuna në familje vazhdon të jetë një fenomen mjaft shqetësues në shoqërinë tonë. Sipas të dhënave zyrtare vetëm gjatë këtij viti janë raportuar 581 raste të dhunës në familje.

“Gjatë 6 mujorit 2017 Janar –Qershor 2017 janë raportuar 581 raste të Dhunës në Familje”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për AktivPress.

Bazuar në të dhënat e PK-së, viktima të dhunës janë 86% femra, ku vetëm në vitin 2016 janë raportuar 988 raste të tyre.

Po ashtu edhe rastet të meshkujve të cilët janë sulmuar fizikisht nga anëtarët e familjes së tyre nuk janë të pakta, ku në vitin e kaluar janë lajmëruar gjithsej 259 raste .

Në raportin 24-orësh, të cilin policia e dërgon çdo ditë për media, më shumë raportohet për përleshje në mes çifteve të martuar, të fejuar por edhe raste të personave të divorcuar.

Shkak i këtyre incidenteve në të shumtën e rasteve janë mosmarrëveshjet mes çifteve.

Gjithashtu mjaftë shqetësuese janë raportimet për sulmet fizike të prindërve nga fëmijët e tyre.
Për këtë çështje AktivPress ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës, por ata kanë ofruar vetëm të dhëna të

përgjithshme mbi dhunën në familje.

Vetëm gjatë kësaj jave janë raportuar dy raste të tilla, një në Prishtinë dhe në Suharekë.

“Është arrestuar e dyshuara femër K/Shqiptare në Prishtinë, pasi që e njëjta ka sulmuar fizikisht nënën e saj. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje”, thuhet në komunikatën e PK-së

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht prindin e tij viktimën mashkull K-Shqiptar. Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, shkruan në komunikatën tjetër./AktivPress