75 Mall Live Search
12:29 / E Enjte, 15 Shtator 2022 / AR

Dhuna seksuale në Kosovë, Policia jep statistika: Po i trajtojmë me seriozitet të lartë!

Dhuna seksuale është kthyer në fenomen të përditshëm në vendin tonë, por në të njëjtën kohë edhe nuk denoncohet nga të gjithë viktimat.

Shqetësuese mbetet dhuna e tillë ndaj të miturave, të cilat kanosen dhe kështu hezitojnë raportimin në organet e rendit.

Vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti (janar – korrik 2022) në Policinë e Kosovës janë raportuar 41 raste të dhunës seksuale.

Krahasuar me vitin paraprak (2021), gjithnjë sipas Policisë, ka rënie të rasteve. Atë vit, për periudhë të njëjtë kohore kishte 18 raste të dhunimit më shumë, pra gjithsej 59.

Ndërsa në komplet vitin 2021 u raportuan 102 raste të kësaj natyre, bën të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për Indeksonline.

Policia thotë se po trajton me seriozitet të lartë të gjitha rastet duke përfshirë edhe rastet e dhunës seksuale.

“Policia e Kosovës trajton me seriozitet të lartë të gjitha rastet duke përfshirë edhe rastet e dhunës seksuale. Ndër vite Policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese me qëllim të inkurajimit të viktimave për të raportuar të gjitha rastet veçanërisht rastet e ndjeshme si dhuna seksuale, dhuna në familje etj, e që përveç punëve operacionale gjithashtu objektiv i Policisë ka qenë parandalimi dhe reduktimi i rasteve të tilla”, thuhet në përgjigje.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Neni 227, kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë,
dënohet me burgim prej 2 deri në 10 vjet.

Kur kjo vepër penale kryhet nën shoqërimin e torturës, forcës, kanosjes… dënimi me burgim shkon deri në 15 vjet.

Kur dhuna seksuale rezulton me vdekjen e viktimës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm./Indeksonline/