Dhurojnë gjak afro 200 ushtarë të KFOR-it
Njësitë nga misioni i KFOR-it, në bashkëpunim me Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, kryen aksione për dhurimin e gjakut.
Kjo u bë për të mbështetur trajtimin e pacientëve në nevojë, për të rritur disponueshmërinë e burimeve kritike mjekësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të mbështetur spitalet dhe strukturat mjekësore në të gjithë rajonin.
“Përfaqësuesi i lartë kombëtar italian, kolonel Mauro Bruschi, dhe Njësia e Përbashkët Mjekësore (JMED) e KFOR-it, me mbështetjen e Elementit Mbështetës Kombëtar Italian, Elementit Mbështetës Kombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe Ekipit Ndërlidhës të Monitorimit (LMT) K8, organizuan një aksion për dhurimin e gjakut në Shtabin e KFOR-it, kamp “Film City” në Prishtinë, ku morën pjesë 129 dhurues” deklaron KFOR-i.
Ndërkohë, Ekipi i Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC), i caktuar në Komandën Rajonale-Perëndim (RC-W) të KFOR-it, me mbështetjen e kontingjentit italian, organizoi një aksion për dhurimin e gjakut në kampin “Villaggio Italia” në Pejë, ku morën pjesë 70 dhurues.
“Këto iniciativa pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it me institucionet dhe partnerët vendas në mbështetjen e shëndetit dhe mirëqenies, duke kontribuar njëkohësisht në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë” shton KFOR-i.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

